Drejtoria për Hetimin Kundër Narkotikëve ka zhvilluar të martën dy operacione policore, në tri rajone të vendit, që rezultuan me arrestimin e disa personave të dyshuar dhe sekuestrimin e dhjetëra kilogramëve drogë. Në aksionin e koduar si ‘Kristali 2’ që është hetuar nga njësia rajonale e narkotikëve në Prishtinë, u arrestua një person, ndërsa një i dyshuar tjetër ndodhet në arrati, raporton Gazeta Sinjali.
I dyshuari që ra në pranga të Policisë dyshohet se ka bashkëpunuar me një shtetas shqiptar, nga i cili është furnizuar me narkotikë, që është transportuar nga Shqipëria në Kosovë.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari që u kap nga Antidroga është Arbon Fetahu, 27-vjeçar, kurse i dyshuari që u arratis është Denis Dina.
Fetahu u zbulua pasi mori drogën afër një pompe në Veternik që dyshohet se e kishte blerë nga Denis Dina dhe më pas tentoi të arratiset, por zyrtarët policorë të Antidrogës arritën ta ndalojnë në Hajvali.
I riu që dyshohet se merrej me shitblerje të narkotikëve u kap me një sasi prej mbi një kg, të substancës narkotike të llojit kokainë, vlera e të cilës arrin shumën prej mbi 50 mijë euro.Antidroga zhvilloi edhe bastisje në shtëpinë e tij në Hajvali, ku në cilësi të provave materiale janë sekuestruar para të gatshme mbi 6800 euro, 1000 dollarë amerikanë dhe 3400 funta angleze.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.