Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka konfirmuar për Gazetën Nacionale, se kanë mbledhur 43 nënshkrime për të mbajtur seancë të jashtëzakonshme të hënën në Kuvendin e Kosovës.
Tahiri ka njoftuar çështja që do të mbahet kjo seanca ka të bëjë me ushqimin për ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Janë mbledhur 43 nënshkrime nga deputetët për seancë të jashtëzakonshme, ku do të mbahet të hënën në ora 12:00., ku do të debatohet për mungesën e ushqimit në Ushtrinë e Republikës së Kosovës.” – ka thënë ai për Nacionalen.
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, përmes një letre drejtuar ministrit të Mbrojtjes, Ejup Macedonci, i ka shprehur shqetësimet e tij për mungesë të ushqimit për ushtarët.
Jashari përmes letrës ka shprehur të gjitha vështirësitë që po i hasin ushtarët në këtë proces.
“Të nderuar, Me datën 07.10.2024 ju kam njoftuar lidhur me shqetësimet e shërbimit me ushqim për personelin e FSK dhe kam kërkuar që të merrni të gjitha masat, konform legjislacionit në fuqi, që t’i jepni një zgjidhje çështjes së ushqimit në mënyrë që FSK të vazhdojë realizimin e planifikimeve të saj. Sipas raporteve të fundit (me të cilat jeni edhe ju të njoftuar) në njësitë e FSK-së janë paraqitur shqetësime lidhur me shërbimet me ushqim, konkretisht me kuzhinierë (vonesa të ndryshme dhe ka raste kur nuk paraqiten në punë). Përveç mungesës së personelit të kuzhinave, e që ka ndikim në kualitetin e ushqimit dhe probleme të furnizimit me artikuj ushqimor, kemi edhe probleme sanitare, e kjo e fundit paraqet rrezik në helmimin dhe përhapjen e infeksioneve tek personeli i FSK- së”, thuhet në kërkesën e tij.
Sipas tij, krejt këto probleme po ndikojnë në kryerjen e detyrave. Komandant Jashari ka lënë të hapur mundësinë për pezullimin e të gjitha aktiviteteve.
“Të gjitha këto probleme ndikojnë për FSK-në, në kryerjen e detyrave operacionale për përmbushje misionit, kurseve zhvillimore, stërvitjeve fushore dhe aktiviteteve tjera, konform planifikimit“.
“Për më tepër, personeli në kuzhina të cilët janë të angazhuar nga institucionet tjera, kanë deklaruar që deri me datën 11.10.2024 do të paraqiten në punë, pastaj nuk do të paraqiten në kuzhinat e FSK-së“.
Tutje, Komandant i FSK-së foli për secilën gradë të personelit duke treguar se sa racione iu duhet të konsumojnë gjatë kohë se janë në punë.
Ndaj letrës, ka reaguar Ministria e Mbrojtjes, ku janë mundur që t`i minimizoi shqetësimet që komandanti i FSK-së i ka shprehur në letër.
“Letra drejtuar Ministrit të Mbrojtjes nga Komandanti i FSK-së është në vazhdën e komunikimit të zakonshëm ku raportohen vështirësitë të cilat hasen gjatë rrugës, dhe sigurisht se ndërtimi i kapaciteteve të vetqëndrushmërisë sa i përket ushqimit nuk është një proces pa vështirësi. Përgjatë kësaj periudhe kalimtare do të ndërmirren masat për të siguruar vazhdimësinë e ofrimit të këtij shërbimi. Ushtarakët nuk do të mbesin pa ushqim, këtë ua garantojmë pjesëtarëve të FSK-së.”, është thënë në reagimin e ministrisë.
Ndër të tjera, ministria ka vlerësuar se nuk ka mungesë të ushqimit dhe as të cilësisë.
“Të gjitha kazermat e FSK-së janë funksionale dhe po shërbehet llojllojshmëri shujtash pavarësisht nga jo që po tentohet të propagandohet në disa medie dhe rrjete sociale. E vërteta është se nuk ka mungesë të ushqimit dhe as të cilësisë, pasi të njëjtat produkte bazë përdoren në çdo shtëpi në Kosovë, e vetmja gjë me të cilën po përballemi është mungesa në numër e stafit teknik, pasi kuzhinierët veçse i kemi angazhuar në këtë periudhë si rezultat i marrëveshjes me Qendrën Sutdentore si dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës. Ky problem do të zgjidhet sapo të mbyllet konkursi për pranimin e stafit profesional vetanak, konkurs ky që është hapur dhe çdo procedurë do të përfundoj në afat prej 45 ditësh”, është thënë në reagim.